Raste të reja të nepotizmit, vllezër, motra e të tjerë të “rehatuar” në punë shteti?!

72

Nuk do të ndalemi deri sa ta nxjerrim në pah të gjithë rrjetin e nepotizmit të pushtetarëve, të cilët kanë përfshirë administratën shtetërore.” Kështu e nisi konferencën për shtyp zëdhënës i VMRO-DPMNE-së Dimçe Arsovski, duke denoncuar 4 raste të reja të punësimeve të familjarëve të zyrtarëve.

“Besoni apo jo, deputeti Sashko Atanasov nga Vasilevo nuk qëndroi më modest se kolegët e tij. Pasi u bë deputet ai i punësoi kushërinjtë e tij të ngushtë, Gjorgji Ivanov si mësues i gjuhës angleze në Shkollën fillore ‘Goce Dellçev’ dhe Zoran Atanasov, gjithashtu si mësues i fizikës në të njëjtën shkollë ‘Goce Dellçev’ të Komunës së Vasilevës. Të tretën që e ka punësuar ai, kush mund të tjetër nëse jo kumbara e tij, të cilën, deputeti e ka punësuar në Komunën e Vasilevës. Nuk mbeti prapa as kolegia e tij nga Tetova, Tatjana Lalçevska, e cila është deputet e LSDM-së. Ajo, imagjinojeni, e ka punësuar vajzën e saj në Çerdhen ‘Mlladost’,” deklaroi Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Nga LSDM thonë se mijëra punësime në faturë të shtetit janë bërë me dekada nga VMRO-DPMNE. Zëdhënësi Kostadinov, iu bëri thirrje deputetëve të opozitës që të kërkojnë dorëheqje të familjarëve të tyre, të cilët janë futur nëpër ndërmarrjet publike dhe në administratën shtetërore.

” Bëji thirrje familjarëve të Antonio Milloshoskit, të cilët hynë në punë përderisa VMRO-DPMNE ishte në pushtet, të dorëhiqen menjëherë! Gruaja e vëllait të Antonios, Aleksandra Milloshoska është e punësuar në Drejtorinë e të Ardhurave Publike. Madje edhe daja i tij, Vlladimir Korunovski është i punësuar në Agjencinë e Kadastrës. Kushëriri i Antonios, Stanko Korunovski është i punësuar në Regjistrin Qendror. Kushërira e parë e Antonios, Elizabeta Korunovska është drejtoreshë e një shkolle fillore, kurse dhëndri Mariani është udhëheqës në Kompaninë shtetërore ‘MEPSO’”, deklaroi Kostadin Kostadinov, Zëdhënës i LSDM-së.

Kostadinov tha se familja e Milloshoskit është shembull klasik i nepotizmit. Ai thotë se nismën morale për dorëheqje duhet ta ndërmerr kryetari i opozitës Mickoski, duke i thënë kushëririt të tij të tërhiqet nga vendi i punës në “Elem Tours”! Kurse, zëdhënësi i opozitës Arsovski kërkon që njëherë të pastrohet pushteti nga nepotizmi dhe mos bëhet më asnjë punësim ku kriteri i vetëm është lidhja familjare e zyrtarëve të lartë të shtetit./Alsat/